Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje nga lista “Guxo”, Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës me 71 vota.
Osmani u zgjodh në raundin tretë që ishte final për përcaktimin e presidentit të ri të vendit.
Në raundin e tretë të votimit mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo është e vetmja deputete nga kjo parti e pranishme në sallë. Gjatë seancës, ajo u ulë në pjesën ku ulen deputetët e LVV-së.
Në raundin e dytë morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 67 deputetë dhe kundërkandidati i saj Nasuf Bejta fitoi katër vota. Njëmbëdhjetë vota ishin të pavlefshme.
Ndërkaq, në raundin e parë Osmani fitoi 69 vota, 12 vota ishin të pavlefshme.
Duhet përmendur se që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova ishte me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Qeveria Kurti u mbështet nga 67 deputetë.
Profili i Vjosa Osmanit
Vjosa Osmani Sadriu, aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.
Dr. Vjosa Osmani Sadriu u lind më 17 maj 1982 në Mitrovicë, në Kosovë.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.
Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA.
Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare. Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në ShBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjërata tematike në universitete të tjera në Evropë e në ShBA.
Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”.
Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.
Flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht. Është e martuar dhe ka dy vajza binjake. Jeton në Prishtinë.