Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së premtes në Vlorë, ku pas një konflikti banal humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj.
Sipas burimeve nga policia e Vlorës, “AbcNews” thotë se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të disa ditëve më parë, që djali i viktimës – i cili gjithashtu mbeti i plagosur lehtë dhe mori ndihmë mjekësore në spital, kishte me autorin.
Burime policore bëjnë me dije se babë e bir kanë shkuar në rrugën “Gjergj Araniti” për të gjetur autorin dhe për të sqaruar konfliktin. Në momentin e përplasjes, autori ndodhej në makinë, ndërsa viktima dhe djali i tij i janë afruar. Fillimisht ka pasur debat verbal, i cili më pas ka degraduar në fyerje dhe sharje.
Duke qenë se autori kishte banesën pranë, në konflikt kanë ndërhyrë edhe dy shokë të tij. Situata ka agravuar në përplasje fizike mes palëve, me goditje me grushte dhe shkelma.
Sipas të dhënave, autori e ka goditur 63-vjeçarin dy herë me grushte dhe një herë me shkelm, duke bërë që viktima të përplaset në tokë dhe të humbasë jetën. Gjithashtu, mësohet se viktima kishte probleme me zemrën dhe ishte operuar më parë, çka mund të ketë qenë një faktor shtesë që ndikoi në vdekjen e tij.
Pas ngjarjes, autori së bashku me dy shokët e tij, të cilët janë identifikuar, janë larguar me makinë nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim nga policia.
Ndërkohë, viktima u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë, ndërsa djali i tij mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime policore konfirmojnë gjithashtu se rreth një muaj më parë viktimës i ishte djegur automjeti, por kjo ngjarje nuk ka lidhje me incidentin e fundit






















