Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, që ndodhi këtë të hënë, 6 tetor, Gjykatën e Apelit Tiranë.

Përmes një postimi në “Twitter”, Rama u shpreh ngushëllimet familjarëve, ndërsa e quan ngjarjen agresion kriminal dhe kërkon përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj sulmuesit.

“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore”, shkruan Rama.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të hënë, 6 tetor, rreth orës 15:40, kur Gjykata e Apelit Tiranë u kthye në skenë krimi, pasi menjëherë pas përfundimit të një seance gjyqësore u qëllua për vdekje gjyqtari i njohur Astrit Kalaja, ndërsa u plagosën edhe dy persona të tjerë, babë e bir (palë në proces gjyqësor).

Autori është Elvis Shkëmbi, rreth 30 vjeç, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës, për të cilën dyshohet se gjykatësi e ka dhënë verdiktin sot, jo në favor të tij. Ai është arrestuar nga Policia, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit.

Related Posts