Një 11-vjeçare në Washington u largua nga shtëpia në orët e hershme të mëngjesit për t’u ikur të shtënave që e lanë të përgjakur e ia vranë të gjithë familjen.
Për ditë me radhë këtë javë autoritetet kanë hetuar rastin ku u vranë pesë persona. Tani, deklaratat e vajzës po i hedhin dritë asaj çfarë ka ndodhur.
11-vjeçarja kujtoi se u zgjua të hënën nga zhurma e të shtënave. Kur pa jashtë dhomës së saj, ajo pa babanë me gjak në kokë dhe vëllain 9 vjeç me gjak në gojë – të dy të shtrirë në dysheme.
Kur motra 7 vjeçe doli nga dhoma, 11-vjeçarja ka thënë se dëgjoi një të shtënë tjetër e më pas pa motrën e vogël që ra në dysheme, raportoi CNN.
Ajo u ka thënë hetuesve se më pas sulmuesi shkoi në dhomën e saj dhe gjuajti një a dy herë, duke e lënë të plagosur në dorë dhe qafë.
Pavarësisht dhimbjes që ndjeu nga plumbi, ajo u tha autoriteteve se e njohu armën. Ishte arma e babait të saj.
Dhe ajo e njohu edhe gjuajtësin. Ishte vëllai 15-vjeçar i saj.
Vajza ka treguar se e pa vëllain që i afrohej trupave të familjarëve për të parë nëse ishin gjallë, dhe u bë kinse kishte vdekur kur ai erdhi te shtrati i saj.
Nëna dhe vëllai tjetër 13 vjeç ishin qëlluar e vrarë diku tjetër në shtëpi.
Vajza u tha hetuesve se iku nga dritarja e dhomës pasi vëllai ishte larguar nga dhoma dhe se e kishte dëgjuar duke folur në telefon. Ajo shkoi te shtëpia e komshiut dhe ata e thirrën policinë për të raportuar vrasjet dhe 15-vjeçarin si vrasësin e tyre.
Por, nuk ishte hera e parë që iu bë Policisë atë mëngjes.
Shtatë minuta më përpara, 15-vjeçari kishte thirrur për ndihmë për veten, duke deklaruar se po fshihej në banjo. Ai i tha Policisë së vëllai 13 vjeç e kishte vrarë gjithë familjen dhe kishte bërë vetëvrasje.
15-vjeçari u arrestua kur autoritetet arritën në shtëpi. Të enjten, ai u akuzua në gjykatën për të mitur për pesë vrasje të rënda dhe një për tentim vrasje.