Nga Gjermania, Granit Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar, një ekip që sapo ishte ngjitur në Premier Ligë.
Për vendimin e tij ka folur tash vetë Xhaka, i cili tha se edhe miqtë e tij më të afërt e përqeshën për këtë vendim të tij.
“Njerëzit po qeshnin me mua, madje edhe miqtë më të afërt, më thoshin, pse po kthehesh? Mirë që po kthehesh në Premier Ligë, por pse në Sunderland? U thash, sepse i dua sfidat”, u shpreh Xhaka në një bisedë për BBC.
Ai tha se vendimin e kishte marrë pasi ndiente se i duhej një sfidë e re, pasi në Gjermani me Bayer Leverkusenin fitoi gjithçka – nga titulli i Ligës deri te Kupa.
“Kisha një ndjenjë se më duhej një sfidë të re. Pas dy vitesh në Gjermani, ku në vitin e parë fituam gati gjithçka. Të pamposhtur në Bundesligë, fituam Kupën, humbëm finalen në Evropa Ligë – ishte shumë e dhimbshme”.
“Thjesht kisha ndjenjën kur fola me pronarin e klubit, me trajnerin, se ky është klubi i duhur për mua sepse njerëzit janë shumë modestë. Është një qytet i vogël, sikur ku jam rritur unë. Besova se është drejtimi i duhur për mua dhe familjen time, dhe jam i lumtur që gjithçka po shkon siç e prita”, tha mesfushori me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka.
Sunderlandi ka befasuar të gjithë njohësit e futbollit këtë sezon. Klubi aktualisht zë vendin e 8 në tabelë, dhe është vetëm 5 pikë larg top 4-shes. Të gjithë ekspertët e futbollit në Angli, këtë sukses ia kanë atribuuar lidershipit të Xhakës, i cili mban edhe shiritin e kapitenit.























