Policia e Kosovës ka njoftuar se një serb dyshohet se është plagosur në zonën e Leposaviqit dhe më pas është rrëmbyer nga xhandarmeria serbe, raporton Rilindjashqiptare.
Bazuar në informacionet e para të Policisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor dhe vendi i ngjarjes raportohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“…pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.” – njoftoi Policia.
Tutje, PK ka bërë të ditur se ka intervistuar disa dëshmitarë, sipas të cilëve të dyshuarit kanë qenë të maskuar dhe viktimën e kanë dërguar me autoambulancë në drejtim të Nishit të Serbisë.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.”
Në njoftim thuhet se Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti.


























