Gazetarja e njohur Xhumadije Ibrahimi nga sot nis një kapitull të ri në karrierën e saj, duke u bërë pjesë e televizionit TV21 në Maqedoninë e Veriut.

Ajo pritet të jetë fytyra kryesore e emisionit të ri debatues që do të mbajë titullin “Debat21”, i cili synon të sjellë diskutime të hapura mbi zhvillimet politike, shoqërore e ekonomike që prekin drejtpërdrejt qytetarët, veçanërisht komunitetin shqiptar në këtë vend.

Në njoftimin e saj publik, Ibrahimi u shpreh se me këtë hap po hap një “dritare të re në një medium i cili për më shumë se një dekadë ka qenë zëri i informimit të drejtë dhe objektiv të opinionit publik”.

“Përgjatë këtyre viteve në profesionin e gazetarisë, i cili ka qenë sa atraktiv po aq edhe sfidues, jam përkushtuar që misionin tim ta përmbush me përgjegjësi dhe profesionalizëm duke respektuar maksimalisht parimet e gazetarisë së paanshme dhe objektive. Me të njëjtin pasion dhe përkushtim nis këtë rrugëtim të ri me shpresën që edhe kjo etapë e re e jetës të jetë një sukses në vete. Faleminderit për mbështetjen që më jepni ndër vite,” ka theksuar gazetarja.

Emisioni “Debat21” pritet të jetë një nga risitë e sezonit të ri televiziv në TV21, duke ofruar hapësirë për debat konstruktiv, ballafaqim idesh dhe transparencë, me fokus edhe në çështjet që prekin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. /RilindjaShqiptare/

Related Posts