Three60 Music ka njoftuar zyrtarisht organizimin e turneut të parë ndërkombëtar të Yll Limanit, një hap i ri në karrierën e artistit që shënon një kapitull të rëndësishëm në skenën muzikore shqiptare.

Turneu mban titullin “Yll Limani – Thirrëm Sot ose Nesër – International Live Tour 2026” dhe vjen pas vendimit të bërë publik në fillim të këtij viti nga Three60 Music dhe artisti për të mos realizuar club shows gjatë vitit 2026, duke u fokusuar në një koncept të ri koncertal.

Sipas njoftimit, ky është hera e parë që një artist shqiptar organizon një turne të strukturuar ndërkombëtar në këtë format, të ndarë në faza dhe me produksion të plotë live.

Katër qytetet e para evropiane

Faza e parë e turneut përfshin katër qytete evropiane:

  • Zürich, Zvicër – 18 Prill 2026
  • Oberhausen, Gjermani – 24 Prill 2026
  • Vienna, Austri – 9 Maj 2026
  • Malmö, Suedi – 6 Qershor 2026

Turneu do të nisë në Zürich, për të vazhduar në Oberhausen dhe Vienna, ndërsa do të përmbyllet në Malmö. Këto do të jenë performancat e vetme të artistit në këto qytete gjatë vitit 2026.

Sipas organizatorëve, ky tour përfaqëson një koncept të ri të prezantimit live të Yll Limanit, i fokusuar në produksion të plotë koncertal, bend live dhe një eksperiencë të kuruar për publikun. Projekti synon të reflektojë evoluimin artistik të këngëtarit dhe ambiciet e tij për depërtim më të gjerë në tregun ndërkombëtar.

Biletat për fazën e parë të turneut do të dalin në shitje të enjten, më 19 shkurt, në ora 12:00, ndërsa detaje mbi fazat e ardhshme të turneut pritet të publikohen në javët në vijim.

Related Posts