Pushtimi i Ukrainës ka hyrë në ditën e 17-të. Qindra civilë ukrainas janë vrarë e plagosur deri më tani si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse. Palët ukrainase dhe ajo ruse kanë zhvilluar deri më tani disa runde bisedimesh por pa ndonjë sukses
Shpërthime të vazhdueshme janë dëgjuar herët të shtunën në qytetet Nikolaev, Dnipro dhe Kropyvnytskyi, raporton BBC.
Sipas një kanali Telegram të drejtuar nga autoritetet lokale, sistemi i mbrojtjes ajrore të Dnipro u aktivizua me sukses.
Nuk është e qartë se sa shpërthime goditën Dnipro-n, por autoritetet shtuan se ata po prisnin të dëgjonin zyrtarisht përgjigjen nga ushtria.
Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje nënave ruse në adresimin e tij të fundit të premten, duke u kërkuar atyre që të mos i dërgojnë në fushën e betejës dhe të ushtrojnë vigjilencë për vendndodhjen e tyre.
“Dua t’ua them këtë edhe një herë nënave ruse, veçanërisht nënave të rekrutëve. Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj”, ka thënë Zelensky.
Ai u bëri thirrje atyre që të “mos i besojnë premtimeve se do të dërgohen diku për stërvitje ose kushte jo luftarake”, dhe u kërkoi atyre “të veprojnë menjëherë” nëse ka dyshime se ata po dërgohen për të luftuar në Ukrainë.
Fjalimi vjen pasi Rusia pranoi për herë të parë të mërkurën praninë e rekrutëve në radhët e forcave të saj në Ukrainë, shumë prej të cilëve nuk ishin të trajnuar për betejë dhe njoftoi se një numër prej tyre ishin zënë rob.