Edhe një amerikan zbarkoi sot në Hagë, për të dëshmuar pro Hashim Thaçit.
Ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka nisur sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës.
Hill foli për çështjen e Kosovës, ku tha se ishte përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998, me kërkesë të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, duke shërbyer si i dërguar i posaçëm për Kosovën përkrah detyrës së tij si ambasador në Maqedoni.
Diplomati amerikan theksoi se qëllimi i Uashingtonit në atë periudhë ishte gjetja e një zgjidhjeje politike dhe ndalimi i dhunës, përmes rikthimit të autonomisë së Kosovës.
Hill tregoi edhe për takimet e tij me liderin e atëhershëm të LDK-së, Ibrahim Rugova, duke treguar se takimi Rugova–Millosheviq ishte ide e Richard Holbrooke, por që sipas tij, dëmtoi pozitat politike të Rugovës në Kosovë.
Në dëshminë e tij, ish-ambasadori amerikan kujtoi edhe kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke pranuar se në fillim ishte e paqartë kush i përfaqësonte vërtet strukturat e saj.
Ai po ashtu konfirmoi se diplomati amerikan, Robert Gelbard e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”, një deklaratë që sipas tij u interpretua si sinjal për sulmin ndaj familjes Jashari, megjithëse nuk kishte prova për këtë.
Sa i përket takimit të parë me Hashim Thaçin, Hill tha se ish-presidenti i kishte lënë përshtypjen e një personi të qetë dhe intelektual, më shumë të prirur për dialog sesa për luftë. Ai shtoi se në atë kohë nuk kishte dëgjuar asnjë akuzë për tortura apo shkelje të të drejtave të njeriut ndaj Thaçit, përveç komenteve të Sllobodan Millosheviqit.
Pos tjerash, Hill deklaroi se ai nuk kishte asnjë bazë që tregonte që Hashim Thaçi kishte kontroll mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ai madje dëshmoi rreth takimit të tij dhe Thaçit në Rambuje, takim ky ku u propozua një marrëveshje ‘paqeje’, të cilën ish-presidenti i Kosovës nuk e kishte pranuar.
“Ai e tha këtë në dy raste, se po të kthehej në Kosovë duke pranuar propozimin që nuk përfshinte Pavarësinë e Kosovës, ai do të vritej. Nuk e pyeta më tej, se nga kush, si, apo ku, thjesht e kuptova që ai nuk ishte në pozitë për të thënë ‘po’”, u shpreh diplomati.
Hill pritet të dëshmojë edhe përgjatë tri ditëve të ardhshme, duke filluar nga ora 09:00 e mëngjesit.
























