Sot, më 11 maj 2025, qytetarët shqiptarë i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë. Qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00, shkruan Gazeta Sinjali.

Të drejtë vote kanë gjithsej 3,713,761 shtetas shqiptarë, përfshirë 114,000 votues të rinj që do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës. Në garë për 140 ulëse në Kuvend janë 11 subjekte politike me gjithsej 2,046 kandidatë.

Pjesëmarrja e diasporës për herë të parë

Për herë të parë, edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësi të votojnë përmes një platforme elektronike të regjistrimit të votës, e cila ishte aktive nga 11 janari deri më 11 mars 2025. Janë dërguar 245,935 zarfe me fletëvotime në diasporë, nga të cilat 227,097 janë marrë nga votuesit.

Sipas përditësimeve të fundit të KQZ-së, 181,609 zarfe janë kthyer dhe kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke përfaqësuar 74% të të gjithë votuesve nga diaspora. Votat e tyre do të numërohen në KQZ dhe do të llogariten sikur të jenë hedhur në qarkun përkatës të banimit në Shqipëri.

Subjektet pjesëmarrëse në garë

Në këto zgjedhje parlamentare garojnë:

  1. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
  2. Partia Lëvizja Bashkë
  3. Lëvizja Atdheu
  4. Koalicioni Euroatlantik
  5. Partia Socialiste
  6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
  7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
  8. Aleanca Demokracia e Re
  9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
  10. Partia Mundësia
  11. Partia Social Demokrate

Procesi pritet të vëzhgohet nga një numër i madh organizatash vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa rezultatet paraprake priten të publikohen në orët apo ditët në vijim.

 

Related Posts