Zhurma në veshë (tinitusi), marramendja ose dëgjimi i zbehur mund të jenë efekte anësore të padëshiruara të disa barnave. Një spektër i gjerë medikamentesh – disa prej të cilave merren edhe pa recetë, mund të jenë ototoksike, pra të dëmtojnë veshin e brendshëm dhe të ndikojnë në dëgjim ose ekuilibër. Ototoksiciteti është një term që vjen nga fjalët “oto” (vesh) dhe “toksik” (helmues). Ai mund të jetë pasojë e faktorëve të ndryshëm, përfshirë infeksionet, predispozitën gjenetike dhe përdorimin e barnave.
Rreth 200 barna kanë veti ototoksike
Ototoksiciteti përkufizohet si toksicitet ndaj veshit, veçanërisht ndaj kokleas (kërmillit) ose nervit të dëgjimit. Ai mund të çojë në humbje të dëgjimit, tinitus dhe çrregullime të ekuilibrit. Reagimet e padëshiruara ndonjëherë janë të përkohshme, ndërsa në raste të tjera mund të jenë të përhershme dhe varen nga lloji i barit, doza, kohëzgjatja e përdorimit dhe ndjeshmëria individuale.
Veshi i brendshëm është jashtëzakonisht delikat. Shumica e specialistëve konsiderojnë se barnat ototoksike shkaktojnë dëmtime duke shkatërruar qelizat e imta me qime në koklea – pjesë kyçe e veshit të brendshëm. Kur këto qeliza dëmtohen, ato nuk rigjenerohen, prandaj humbja e dëgjimit në shumë raste është e pakthyeshme. Vlerësohet se rreth 200 barna kanë potencial ototoksik, veçanërisht këto pesë grupe, transmeton Telegrafi.
Antibiotikët
Antibiotikët aminoglikozidë, si gentamicina, tobramicina dhe streptomicina, zakonisht përshkruhen në infeksione të rënda si sepsa, meningjiti apo tuberkulozi – gjendje ku nevojitet trajtim i shpejtë dhe agresiv për të shmangur pasoja fatale. Në këto raste, përfitimi i terapisë shpesh e tejkalon rrezikun e dëmtimit të dëgjimit. Këta antibiotikë zakonisht jepen intravenoz dhe janë ndër substancat ototoksike më të dokumentuara. Ato mund të shkaktojnë humbje të përhershme të dëgjimit, sidomos kur përdoren në doza të larta ose për periudha të gjata. Disa pacientë janë gjenetikisht më të ndjeshëm ndaj këtyre efekteve.
Rreziku rritet edhe nga fakti se këto barna mund të qëndrojnë në veshin e brendshëm për javë apo edhe muaj, çka do të thotë se dëmtimi mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të terapisë. Kujdes rekomandohet edhe me antibiotikë të tjerë, si makrolidët (eritromicina, azitromicina) dhe vankomicina, të cilët janë lidhur me probleme të dëgjimit, veçanërisht te të moshuarit dhe te personat me sëmundje të veshkave.