Një zjarr ka shpërthyer sot rreth orës 02:00 të mëngjesit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Sylejman Vokshi” në Deçan, duke kërkuar ndërhyrjen e zjarrfikësve për ta shuar.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Deçan, Besnik Hulaj, ka konfirmuar ngjarjen dhe ka sqaruar se zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, por ende nuk është përcaktuar shkaku i tij.

“Sot, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i Shkollës Fillore ‘Sylejman Vokshi’ për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij. Zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur,” ka deklaruar Hulaj.Sipas tij, për rastin janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat po merren me hetimin.

“Menjëherë janë lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila është duke u marrë me rastin në përputhje me procedurat ligjore,” ka shtuar ai.

Hulaj ka theksuar se pavarësisht incidentit, procesi mësimor në këtë shkollë nuk do të ndërpritet, pasi objekti shkollor ka alternativa për ngrohje.

“Njoftojmë opinionin publik se procesi mësimor në Shkollën Fillore ‘Sylejman Vokshi’ do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje, pasi që shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje,” ka bërë të ditur drejtori i Arsimit.

Në fund, Hulaj ka falënderuar të gjitha institucionet e angazhuara për reagimin e shpejtë.

Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, sidomos duke marrë parasysh kushtet e vështira dhe temperaturat e ulëta, ku kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës,” ka përfunduar ai.

Related Posts