Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka refuzuar ankesën e Federatës së Futbollit të Kosovës kundër Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe UEFA-s, duke konfirmuar humbjen në tavolinë të Kosovës në ndeshjen e Nations League të zhvilluar më 15 nëntor 2024.

Trupi i Apelit i UEFA-s kishte vendosur më herët që ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë të regjistrohej si e humbur nga Kosova, pasi lojtarët e saj e kishin braktisur fushën si reagim ndaj thirrjeve fyese nga tifozët rumunë. FFK kishte kërkuar nga CAS që përgjegjësia për incidentin t’i adresohej palës rumune dhe që të anulohej gjoba prej 6 mijë eurosh e vendosur nga UEFA.

Pas seancës dëgjimore të mbajtur më 24 mars 2025 në Lozanë, CAS ka vlerësuar se lojtarët e Kosovës kishin marrë një vendim të njëanshëm për t’u larguar nga fusha, pa një urdhër të vlefshëm nga gjyqtari, dhe si të tillë mbajnë përgjegjësinë për ndërprerjen e ndeshjes. Gjykata e arbitrazhit ka theksuar se, ndonëse thirrjet e tifozëve rumunë ishin të papranueshme dhe kanë sjellë sanksione të veçanta për Federatën rumune, ato nuk e justifikojnë largimin nga fusha. Sipas CAS, vetëm gjyqtari e ka pasur të drejtën të vendoste për ndërprerjen apo vazhdimin e ndeshjes, dhe se lojtaret e Kosovës e kishin refuzuar qartazi rikthimin në fushë.

Kësisoji, vendimi i CAS konfirmon se përgjegjësia për ndërprerjen e takimit i takon ekskluzivisht FFK-së dhe rrjedhimisht, ankesa e saj është hedhur poshtë.

“Paneli shqytrtoi provat dhe arriti në përfundim se lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes. Paneli pranoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës u mor për shkak të disa brohoritjeve. Ndërsa ato ishin të papranueshme dhe ishin subjekt i sanksioneve të tjera nga UEFA, ato nuk mund të justifikojnë braktisjen e fushës nga ekipi kombëtar i Kosovës. I takonte gjyqtarit të vendoste për hapat që duheshin ndërmarrë”, shkruan në vendimin e publikuar të hënën.

Ndërkohë, më 13 shkurt 2025, CAS kishte shqyrtuar edhe një ankesë të Federatës rumune për gjobat e vendosura nga UEFA ndaj saj për sjellje raciste dhe mesazhe politike provokuese nga tifozët rumunë gjatë të njëjtës ndeshje. Edhe kjo ankesë ishte refuzuar, me arsyetimin se shkeljet ishin serioze dhe sanksionet, në total 128 mijë euro, ishin të justifikuara.

Related Posts