Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë sekuestruar 204 copë vape me kanabis ose substanca të ngjashme narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Sipas njoftimit të Doganës, zbulimi është bërë gjatë një kontrolli të detajuar, të bazuar në analizën e riskut dhe me përdorimin e pajisjeve të specializuara.
Për kontroll është ndaluar një furgon me targa të huaja, i cili ishte i ngarkuar në karrotrec. Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët kanë zbuluar substancat e dyshuara të fshehura në pjesën e sipërme të furgonit, mes tapicerisë dhe tavanit.
Autoritetet kanë sekuestruar gjithsej 204 copë vape, të përshkruara nga Dogana si produkte duhani me kanabis ose substanca të ngjashme narkotike.
Rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente hetimore të Doganës dhe Policisë së Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore, përfshirë edhe ndaj mjetit transportues.


















