
Kontrollet ndaj mjeteve të rënda po vazhdojnë në të gjithë vendin, me qëllim respektimin e kufizimeve ligjore për peshën dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, gjatë periudhës 14–21 gusht 2026, ekipet e Ministrisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kontrolluar peshën e 103 mjeteve të rënda.
Nga këto kontrolle, në 30 raste është evidentuar tejkalim i peshës së lejuar. 11 prej shkeljeve janë kryer nga persona fizikë, ndërsa 19 nga persona juridikë.
Për këto shkelje janë shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 14 mijë e 910 eurosh.
Ministria ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje, duke theksuar se tejkalimi i peshës së lejuar dëmton infrastrukturën rrugore, rrezikon pjesëmarrësit në komunikacion dhe krijon kosto shtesë për shtetin.
Ministria u ka bërë thirrje pronarëve të mjeteve dhe kompanive transportuese që t’i respektojnë kufizimet ligjore, me qëllim mbrojtjen e investimeve publike dhe garantimin e sigurisë në rrugë.















