Me rastin e përvjetorit të 36-të të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit ka organizuar diskutim me disa nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm, raporton Ekonomia Online.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Albulena Haxhiu e kujtoi këtë ditë duke thënë se Deklarata Kushtetuese e para 36 viteve nisi me dyer të mbyllura dhe me një Kuvend të rrethuar.

“Të nderuar të pranishëm, 2 korrik 1990 deri te Kuvendi i rrethuar, delegatët e Kosovës, po në atë ditë, nis me dyert e mbyllura, me polici para Kuvendit, me delegatë jashtë sallës dhe me një pushtet që pasi ia kishte marrë Kosovës autonominë, kërkonte edhe asgjësim politik.

Por, mandati vjen nga populli dhe atë delegatët e Kosovës e dëshmuan duke folur në emër të Kosovës, edhe jashtë sallës së Kuvendit. Pa 2 Korrikun nuk mund të kuptohet 7 Shtatori. Regjimi me dhunë atëherë kishte ndaluar mbledhjet e Kuvendit, ndërkaq, kishte lënë pas një popull që Kosova nuk do të toleronte. Delegatët që qëndruan jashtë sallës, po që kishin hyrë brenda historisë. Në atë kohë, Kosova përballej me dhunë të organizuar shtetërore, ajo nuk shihej vetëm në dhunën që ushtrohej nga policia, herë pas herë, por edhe në goditjen mbi institucionet, mbi shkollat, punën, gjuhën dhe të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të vendosur për veten”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se Kosova kishte shumë pak hapësirë, mirëpo kishte njerëz të mençur që dinin ta shfrytëzonin atë pak vend.

“Serbia synonte më shumë se qeverisjen e Kosovës, synonte ta linte pa zë politik dhe pa mundësi që të shfaqej si subjekt për vete. Kundër kësaj u ngrit kjo deklaratë kushtetuese e 2 Korrikut. Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë, por kishte njerëz që dinin ta përdornin edhe atë pak hapësirë, me mençuri dhe me guxim. Në mesin e tyre ishin delegatët që e miratuan deklaratën, njerëzit që e hartuan dhe e mbështetën, si dhe të gjithë ata që e kuptuan se politika e Kosovës duhet të fliste me gjuhën e së drejtës e jo me gjuhën e nënshtrimit. Pas 2 Korrikut erdhi 7 Shtatori, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut, pastaj referendumi për pavarësi dhe i gjithë organizimi i viteve të 90-ta. Kosova u përpoq ta mbante veten në këmbë, me institucione që krijoi, me shkollat shtëpi, me universitetin, me jetën politike dhe me qytetarët që nuk pranuan amendamentet e mëhershme dhe dënimin që iu kishte imponua”, tha Haxhiu.

Ajo përmendi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku tha se kjo e fundit në rrugën politike të viteve të 90-ta, mori barrën më të rëndë drejt çlirimit të vendit.

“Rruga politike e viteve të 90-ta mori kuptimin e saj të plotë me ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja mori mbi vete barrën më të rëndë të historisë sonë të re, luftën për çlirimin e vendit. Sakrifica e dëshmorëve, qëndresa e luftëtarëve dhe ndihma e miqve tanë, që erdhën pas asaj thirrjeje për pastrimin e pikave për liri, bënë që të qartë para botës, se Kosova nuk po kërkonte privilegj politik, por liri nga shtypja dhe dhuna e organizuar shtetërore.

Pas luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleatëve tanë, Kosova hyri në një fazë të re politike. Më 17 shkurt 2008, ajo shpalli Republikën e saj si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ajo ditë kurorëzoi para botës një përpjekje që ishte formësuar shumë më herët, me vendime politike, në akte kushtetuese, në organizim, në luftë dhe në sakrificë. Për këtë arsye, 2 Korriku nuk mund të mbetet vetëm një datë që i përket thjesht historisë. Ajo është çasti kur Kosova foli në emër të vetvetes dhe refuzoi që Serbia të vendoste për të”, tha Haxhiu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts