Klan ka zbardhur dosjen e SPAK për akuzat që rëndojnë ndaj ish-Presidentit Ilir Meta. Gazetarja Glidona Daci raportoi në një lidhje live pjesën më kryesore të kësaj dosje ku tregohen episodet ku përfshihet Meta.
“Ajo që të bie në sy në aferën e parë që ka të bëjë me çështjen CEZ-DIA, kemi të bëjmë me mbledhjen e borxheve të CEZ-it nga kompania DIA, e krijuar nga Kastriot Ismailaj”, raportoi Daci.
Sipas deklarimeve të personave që Prokuroria e Posaçme ka marrë dëshmitë e tyre, pretendojnë për një lidhje të afërt mes Kastriot Ismailajt dhe Ilir Metës.
“Ajo që bie në sy dhe bënte përshtypje, është një SMS i dërguar nga zoti Meta në 22 Qershor 2009, në orën 17:27 nga numri i telefonit që përdorej nga Ilir Meta i është dërguar një SMS numrit të telefonit që SPAK e ka vënë, por për arsye etike nuk mund ta lexojmë. Në këtë kohë në përdorim nga Kastriot Ismailaj me përmbajtje: Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë Euro me patjetër. Mos harro”, raportoi gazetarja.
SPAK pretendon se janë grumbulluar prova dhe fakte që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se Ilir Meta ka kërkuar dhe ka marrë përfitime të parregullta nga Ismailaj në shërbim të ndihmës së dhënë për përfitimin e kontratës që kompania e gjykuar e Ismailajt, DIA, të lidhte me CEZ.
Në dosje ndodhet edhe dëshmia e personave çekë që kanë qenë pjesë e drejtimit të CEZ Shpërndarje, deklarimi i bashkëshortes së Kastriot Ismailajt dhe deklarimi i Elvis Matajt, një nga personat kyç për këtë çështje.
“Sipas njërit prej shtetasve çekë, ai ka deklaruar se kanë marrë dëshmitë edhe personat që kanë dhënë në çështjen e arbitrazhit mes kompanisë CEZ Shpërndarje dhe DIA-s, e cila ka bërë në një farë mënyre edhe prishjen e kontratës, ku nga ana e CEZ u kërkua që të prishej kontrata me kompaninë DIA për mbledhjen e borxheve. Nga ana tjetër bashkëshortja e Kastriot Ismailajt ka pretenduar në deklarimet e zbardhura në dosje që herë pas here Ilir Meta i kërkonte shuma të mëdha parash Kastriot Ismailajt si shkëmbim dhe si shpërblim për atë që e kishte ndihmuar të lidhte kontratën me CEZ”, raportoi Daci.
Sipas dosjes, rezulton të ketë qenë Ilir Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë që të ketë negociuar tek kompania CEZ, Kastriot Ismailajn si njeri të besuar të qeverisë.
Njëri nga shtetasit çek pretendon se është takuar disa herë me Ismailajn dhe Metën, por nuk e mbante mend nëse është takuar në Pragë apo në Vienë.
Ndërkohë bashkëshortja e Ismailajt deklaron se Metës i është dërguar një shumë prej 300 mijë eurosh para fushatës.
“Pretendohet që të paktën i është dërguar një shumë 300 mijë euro nga bashkëshortja e Kastriot Ismailajt dhe ajo pretendon se në një moment të dytë kur Kastriotit i është kërkuar një shumë tjetër monetare nga ana e Ilir Metës ky i fundit nuk ia ka dhënë sepse nuk i kishte mundësitë. Por ajo ka pretenduar se gjatë kohës që Kastriot Ismailaj ishte arrestuar dhe ndodhej në proces gjyqësor në 2015 Ilir Meta nëpërmjet personave kërkonte në një farë mënyrë shuma të ndryshme parash”, raportoi Daci.
Kujtojmë që Ilir Meta është arrestuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të të ardhurave. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, ish-gruas së tij, por ndaj saj është caktuar detyrim paraqitjeje. Ndërkohë në lidhje me këtë çështje është lënë në arrest shtëpie Pirro Xhixho dhe detyrim paraqitjeje Ema Çoku.