Granit Elshani, i akuzuar për një vrasje që ka ndodhur në vitin 2010 në një diskotekë në Pejë, iu është dorëzuar organeve të rendit dhe ligjit.
Kështu ka bërë të ditur, avokatja e Elshanit, Kosovare Kelmendi.
“Graniti i eshte pergjigjur vullnetarisht vendimit te gjykates per caktimin e paraburgimit dhe i njejti permes meje ka njoftuar organet policore se do te kthehet dhe paraqitet sot. I njejti edhte pritur nga zyrtaret policor ne aeroportin e Prishtines dhe eshte derguar drejte ne Qender te Paraburgimit”, ka thënë Kelmendi.
Ndryshe, dorëzimi i Elshanit vjen pasi Gjykata Themeloren në Gjakovë kishte konfirmuar në shtator se Elshani nuk është gjetur në shtëpi për t’u dërguar në paraburgim siç kishte vendosur Apeli, me ç’rast kishte lëshuar letër-rreshtim vendor
“Nga raporti i Policisë për zbatimin e urdhëresës, jemi njoftuar se i pandehuri G.E. nuk është gjetur në shtëpi, dhe sipas deklarimit të familjarëve të tij, ai nuk ndodhet në Kosovë”, thuhej në përgjigjen e gjykatës.
Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018 e kishte dënuar me 25 vjet burgim Granit Elshanin. Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë.
Pas transferimit të lëndës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Granit Elshani më 14 mars 2023 është dënuar me 24 vite burgim për akuzën se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh. Këtë vendim e kishte vërtetuar Apeli, por e ka kthyer në rigjykim Gjykata Supreme.
Por, Gjykata Themelore në Gjakovë, në rigjykimin e dytë më 30 nëntor 2023, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Granit Elshanit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, Elshani akuzohej se më 2 janar 2010 në diskotekën “City Club”, në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh.