Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OFAC) ka zgjeruar të mërkurën listën e sanksioneve me persona dhe kompani që mbështesin rrjetin e korruptuar të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodikit në Bosnje në përpjekje për t’i ikur sanksioneve.
Edhe pse Dodiku e festoi fitoren e Trumpit me flamurin amerikan që u vendos në qendër të Banja Llukës, Vladimir Perishiq dhe kompania “Elpring” përmes së cilës Dodiku dhe djali i tij Igor u përpoqën të shmangnin sanksionet, tashmë janë sanksionuar edhe vetë.
“Ky rrjet është i lidhur drejtpërdrejt me Igor Dodikun, djalin e Milorad Dodikut. Për vite me radhë, Dodiku përdori pozicionin zyrtar për të fituar dobi pasurore përmes kompanive të lidhura me të dhe Igorin. Ky korrupsion kontribuoi në minimin e besimit të publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës dhe sundimin e ligjit”, ka thënë Bradley T. Smith nga OFAC-u.
“Presidenti i RS, Milorad Dodik, bashkëpunëtorët dhe ndihmësit e tij vazhdojnë të përdorin pozicionin e tyre të privilegjuar për të minuar besimin e publikut në kornizat dhe institucionet rajonale të paqes që kanë sjellë stabilitet dhe siguri në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka shtuar ai.