Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026, ku u mposht në Torshavn nga Ishujt Faroe me rezultatin 32:21.
Kosova pati një paraqitje të mirë në pjesën e parë, por vendasit treguan më shumë në pjesën e dytë për të arritur fitoren me 11 gola diferencë.
Ishte hera e katërt që pëballemi me ishullorët dhe të gjitha fitoret iu takuan Ishujve Faroe.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 13:9 për vendësit, të cilët dominuan edhe pjesën e dytë.
Kapiteni Valon Dedaj shënoi katër gola nga gjashtë tentime për Kosovën.
Drilon dhe Drenit Tahirukaj, të rikthyer në ekip, patën gjithashtu një paraqitje të mirë; Driloni shënoi katër gola nga pesë tentime, ndërsa Dreniti katër nga shtatë.
Për Ishujt Faroe, më i miri ishte Oli Mittun me tetë gola nga 11 tentime, ndërsa Elias Ellefsen Skipagotu shënoi shtatë gola.
Në Grupin 6, krahas Kosovës dhe Ishujve Faroe, janë edhe Holanda dhe Ukraina.
Kosova përballet me Holandën më 10 nëntor në Prishtinë, në orën 17:15. Dy vendet e para të secilit grup kualifikohen direkt në Evropianin që do të mbahet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji.