Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjirokastrën pasditen e djeshme, kur një 15-vjeçare i dha fund jetës duke u vetëvarur në banesën e saj.

Familjarët kanë gjetur një letër të shkruar në anglisht, pa datë, ku vajza shprehte dhimbjen për shkak të bullizmit. “Pse më bullizojnë mua?”, shkruhej në letër, duke lënë të kuptohej se ndihej e sulmuar nga bashkëmoshatarët, një veprim ky që mund ta ketë çuar drejt aktit fatal.

Bazuar në dëshminë ekskluzive në redaksinë e “JOQ Albania”, vajza mund të ketë qenë viktimë e bullizmit nga bashkëmoshatarët dhe keqtrajtimit nga disa mësues, sepse nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe ishte e ndrojtur. I njëjti burim bëri me dije se vajza ishte bullizuar që prej nisjes së gjimnazit.

Adoleshentja e ndjerë quhej Ersa dhe ishte nxënëse e vitit të parë në gjimnazin ‘Siri Shapllo’.

Sipas hetimeve, 15-vjeçarja ishte larguar nga shkolla tre herë gjatë ditës dhe ishte kthyer në shtëpi, por çdo herë aty ndodhej i ati. Vetëm kur mbeti e vetme, ajo vendosi t’i jepte fund jetës.

Kjo është vetëvrasja e dytë e një të riu në Gjirokastër brenda një muaji, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe përgjegjësinë e shkollave dhe psikologes së shkollës.

Ndërkohë vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Related Posts