Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me rastin e 8 Marsit, ka uruar të gjitha vajzat dhe gratë në ditën e tyre.

Përmes një mesazhi, Abdixhiku shpreh mirënjohje dhe respekt ndaj të gjitha grave, i cili thotë se ato me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre lartësojnë vlerat më të mira të shoqërisë.

“Sot, kujtojmë përpjekjet e mëdha të tyre për barazi, drejtësi dhe paqe. Rikujtojmë po ashtu rolin dhe kontributin e të gjitha grave në kohërat më të rënda të vendit tonë, duke qenë kështu pjesë e të gjitha proceseve të themelimit dhe ndërtimit të shtetit tonë, e barabartë në përgjegjësitë dhe kontributin e saj. Ndërsa sot, ato janë bartëse e shumë ndryshimeve dhe forcë e jashtëzakonshme në shoqërinë tonë, duke dhënë kontributin e tyre në çdo fushë. Prandaj, e themi me zë të lartë se jemi krenarë për punën e tyre të pashoq në kauzën për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Dhe rreshtohemi bashkë me to në luftën për të drejta të barabarta”.

“Në këtë ditë, e rëndësishme është që të gjithë duhet të reflektojmë mbi arritjet e tyre dhe të angazhohemi për të krijuar një të ardhme më të ndritur, ku gratë kanë mundësi të barabarta dhe të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. Fuqizimi ekonomik, social e politik i gruas është një investim i drejtpërdrejtë në forcimin dhe zhvillimin e shtetit. Është garanci për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar. Ju falënderoj nga zemra për kontributin tuaj të çmuar dhe ju siguroj se ky angazhim për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë do të vazhdojë, sot e gjithherë”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai thotë se bashkë do të ndërtojnë një vend ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi e më shumë mbështetje.

“Bashkë do ta ndërtojmë një vend ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi, më shumë mbështetje dhe më shumë hapësirë për të udhëhequr proceset e rëndësishme për të ardhmen e vendit!”

Related Posts