Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që shteti i Kosovës ta bëjë sa më të lehtë mundësinë e votimit nga mërgata.
Përmes një njoftimi të kësaj partie thuhet se sot Vetëvendoje, ka mbajtur mbledhje me qendrat e saj, në të cilën morën pjesë kryetari Albin Kurti, sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i qendrave, Valon Hoti.
“Në pjesën e parë të mbledhjes, kryetari Kurti foli rreth zhvillimeve të fundit politike, me theks të veçantë krijimin e rrethanave drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Teksa pritet vendimi zyrtar i Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që data e mbajtjes së zgjedhjeve të jetë më e afërta e mundshme”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim thuhet se po ashtu u fol edhe për rëndësinë e madhe që ka mërgata.
“Shteti i Kosovës, përmes institucioneve kompetente, duhet ta bëjë sa më të lehtë mundësinë e votimit nga mërgata, e jo t’ua vështirësojë një gjë të tillë, siç është bërë në të kaluarën”, vijon njoftimi.
Vetëvendoje ka bërë të ditur se këtë vit ka pasur rreth 10 mijë anëtarësime të reja.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe strukturat e saj organizative janë gati për referendumin që do të ndodhë në këto zgjedhje. Ndryshimi aq shumë i nevojshëm dhe i kërkuar nga populli, nuk ka asnjë arsye të mos lejohet që të ndodhë”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Qeverinë e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së. Kushtetuesja ka urdhëruar edhe shkuarjen në zgjedhje brenda 40 ditësh.