Të shtunën do të protestohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, me kërkesë të studentëve, të cilët kanë bllokuar universitetet në këtë shtet që tre muaj e gjysmë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protesta në Beograd është organizuar pas marsheve masive që janë organizuar nga studentët në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish, raporton REL.

Mijëra studentë kanë mbërritur në Beograd në mbrëmjen e së premtes, pas një rruge të gjatë që kanë bërë prej rajoneve të ndryshme të Serbisë.

Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.

Studentët ndërkaq, kanë mbajtur 15 minuta heshtje në disa pjesë të Beogradit, si shenjë përkujtimi për 15 viktimat e Novi Sadit.

Ky akt përsëritet çdo ditë nëpër Serbi në orën 11:52 – kohën e saktë kur është rrëzuar streha prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Daçiq: 13 persona janë ndaluar gjatë natës

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se janë regjistruar disa incidente në Beograd përgjatë natës, dhe që 13 persona janë ndaluar.

“Disa janë ndaluar për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente janë drejtuar kah Parku i Pionierit. Shumica e traktorëve janë dëmtuar. Ka pasur tentime për t’ua vënë zjarrin traktorëve”, ka thënë ministri serb.

Ndërkaq, të gjitha mjetet transportuese të kompanisë së transportit të qytetit të Beogradit janë tërhequr nëpër garazhet e tyre prej mëngjesit të së shtunës, dhe nuk do të operojnë gjatë ditës.

Përveç tyre edhe linjat private të transportit nuk janë duke operuar prej pasdites të së premtes.

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raporton se një numër i madh i forcave policore dhe xhandarmërisë janë angazhuar në qendër të Beogradit, para nisjes së protestës së thirrur nga studentët.

 

Related Posts