Në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ka mbërritur edhe i lënduari i 15-të nga shpërthimi i një bombole gazi, sot, në Ferizaj.
Sipas përgjegjësve në QKUK, deri më tash nëntë të lënduar u janë nënshtruar operimeve, ndërsa të tjerët po vazhdojnë të trajtohen.
“Në Klinikën Emergjente kemi gjithsejt 15 të lënduar si pasojë e eksplodimit të bombolës. Për momentin janë 4 të pranuar, tre në kujdesin intensiv, pas trajtimit të plagëve në sallën operative, dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Mjekimit Intensiv Qendror. Një e moshës 20-vjeçare, si pasojë e djegieve të fytyrës, kokës e qafës, e për shkak të thyerjes së kokës së qafës së femurit, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në ortopedi. Dhjetë të tjerë qëndrojnë në Klinikën Emergjente, e po trajtohen nga kirurgët plastikë për plagët e djegura, të cilët po punojnë në sallën operative. Një bashkëpunim shumë i mirë me Spitalin Rajonal të Ferizajt. Si menaxhment i Klinikës Emergjente kemi arritur t’i hapim kapacitetet, t’i sigurojmë vendet dhe të gjithë të lënduarit që arritën në Emergjencë kanë qenë të sistemuar dhe janë pritur nga profesionistët e kujdesit shëndetësorë”, ka thënë drejtori i QKUK-së, Basri Lenjani.
Nga shpërthimi i sotëm në Ferizaj, në një lokal gastronomie, u lënduan mbi 40 qytetarë.
Të lënduarit, i ka vizituar edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Koordinim ishte shumë i mirë mes Spitalit të Ferizajt dhe Emergjencës së QKUK-së. Kjo tregon përkushtimin e profesionistëve tanë shëndetësorë e mbi të gjitha shpëton jetë, siç është edhe ky rast. U shprehi shëndet e shërim sa më të shpejtë gjithë të lënduarve, e familjeve të tyre sa më pak shqetësim. Janë në duar të sigurtave të mjekëve tanë, e po marrin trajtim adekuat”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.