Presidenti i SHBA-së pranon rolin e Pekinit në një shitje të mundshme, ndërsa pronari i aplikacionit përballet me afatin e 5 prillit për të gjetur një blerës jo-kinez ose për t’u përballur me një ndalim në SHBA

Donald Trump ka deklaruar se do të ishte i gatshëm t’i ulte tarifat ndaj Kinës për ta arritur një marrëveshje me kompaninë mëmë kineze të TikTok-ut, ByteDance, për shitjen e aplikacionit të mediave sociale që përdoret nga 170 milionë amerikanë, shkruan The Guardian.

Ai pranoi rolin që Kina do të kishte në çdo marrëveshje. “Sa i përket TikTok-ut, Kina do të duhet ta luajë një rol në këtë, ndoshta në formën e një miratimi, mbase, dhe mendoj se ata do ta bëjnë këtë”, u tha Trump gazetarëve të mërkurën. “Ndoshta do t’u jap një ulje të vogël të tarifave ose diçka të tillë për ta realizuar”, shtoi ai.

Komentet e Trump sugjerojnë se shitja e TikTok është prioritet për administratën e tij dhe mjaft e rëndësishme për t’i përdorur tarifat si një mjet negociues me Pekinin.

TikTok-u nuk komentoi.

ByteDance ka afat deri më 5 prill për ta gjetur një blerës jo-kinez për TikTok-un ose të përballet me një ndalim në SHBA për arsye të sigurisë kombëtare, një masë që duhej të hynte në fuqi në janar sipas një ligji të vitit 2024.

Ky veprim është rezultat i shqetësimeve në Washington se pronësia e TikTok-ut nga ByteDance e bën atë të varur nga qeveria kineze dhe se Pekini mund ta përdorë këtë aplikacion për të kryer operacione ndikimi kundër SHBA-së dhe për të mbledhur të dhëna mbi amerikanët.

Në shkurt dhe në fillim të këtij muaji, Trump vendosi tarifa shtesë prej 20% mbi tarifat ekzistuese për të gjitha importet nga Kina.

Marrëveshja për TikTok ka hasur gjithmonë në një pengesë të madhe: pajtimi i Kinës për të hequr dorë nga kontrolli mbi një biznes që vlen dhjetëra miliarda dollarë. Trump i ka përdorur më parë tarifat si mjet presioni në negociatat për TikTok.

Më 20 janar, në ditën e tij të parë në detyrë, ai paralajmëroi se mund të vendoste tarifa ndaj Kinës nëse Pekini nuk do ta miratonte një marrëveshje amerikane për TikTok.

Related Posts