Abuzimi me punëtorët në Kosovë – Punëtorët paguajnë për mallrat e prishura në markete!

Shkruan: Gazetari Arsim Lani

Abuzimi me punëtorët në Kosovë duket se ka arritur në nivele të papranueshme. Përvoja që përjetova dje në një market është dëshmi e gjallë e padrejtësive që ndodhin çdo ditë në sektorin privat.

Teksa ndalova për të blerë diçka në një market të njohur, një punëtore më tregoi një praktikë tronditëse që zbatohet atje: kur frutat dhe perimet kalben pa u shitur, dëmi financiar u faturohet punëtorëve! Me fjalë të tjera, ata duhet të mbulojnë humbjet e marketit nga paga e tyre, edhe pse nuk kanë asnjë faj për prishjen e produkteve.

Ky lloj abuzimi është i papranueshëm dhe ngre një pyetje të madhe: A ekziston në Kosovë një institucion që i kontrollon këto markete dhe ndalon këtë dukuri të padrejtë?

Ku janë inspektoratet e punës dhe autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve? Si mundet që punonjësit, të cilët shpesh paguhen me paga minimale, të detyrohen të mbulojnë humbjet e pronarëve që përfitojnë miliona nga bizneset e tyre?

Ky është një apel për institucionet përkatëse që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të ndalojnë këtë shfrytëzim të punëtorëve. Nuk mund të lejojmë që padrejtësi të tilla të bëhen normë në tregun e punës në Kosovë!

Related Posts