E drejta e Iranit për të pasuruar uraniumin nuk është e negociueshme, ka thënë të mërkurën ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi.
Deklarata e tij vjen vetëm pak ditë para rundit të dytë të bisedimeve që pritet të mbahet këtë fundjavë me Shtetet e Bashkuara për programin e diskutueshëm bërthamor të Teheranit, raporton Reuters.
Araqchi po i përgjigjej një komenti të bërë të martën nga negociatori i lartë i SHBA-së, Steve Witkoff, i cili ka thënë se Teherani duhet të “ndalojë dhe eliminojë pasurimin e tij bërthamor” për të arritur një marrëveshje me Uashingtonin.
“Ne kemi dëgjuar deklarata kontradiktore nga Witkoff, por qëndrimet reale do të bëhen të qarta në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Araqchi.
“Ne jemi të gatshëm të ndërtojmë besim në lidhje me shqetësimet e mundshme për pasurimin e Iranit (të uraniumit), por parimi i pasurimit nuk është i negociueshëm”, ka shtuar ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me veprime ushtarake nëse nuk ka marrëveshje ndërmjet Iranit dhe SHBA-së për programin bërthamor të Teheranit.
Para bisedimeve, Araqchi do t’i dërgojë një mesazh nga lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, presidentit rus, Vladimir Putin në një udhëtim në Rusi, ka njoftuar media shtetërore iraniane të mërkurën.
Kremlini nuk ka pranuar të komentojë të martën kur është pyetur nëse Rusia ishte gati të merrte kontrollin e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme bërthamore në të ardhmen midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
The Guardian ka raportuar se Teherani pritej të refuzonte një propozim të SHBA-së për të transferuar rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në një vend të tretë si Rusia, si pjesë e një marrëveshjeje që Uashingtoni po kërkon të zvogëlojë programin bërthamor të Iranit.