Arlinda Sylaj Zekaj, gruaja që u vra në mënyrë tragjike mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës, do të përcillet nesër për në banesën e fundit.
Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të mbahet të martën, më 27 tetor 2026, në orën 15:00, në fshatin Radavc të Pejës.
Vrasja e saj ka tronditur opinionin publik, veçanërisht pas zbulimit të rrethanave që i paraprinë ngjarjes tragjike.
Arlinda dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj, Albert Sylaj, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga një patrullë policore.
Rasti ka nxitur reagime të shumta, pasi viktima kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej jetës së saj.
Gazeta Sinjali kishte siguruar ekskluzivisht dokumentin që Arlinda ia kishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes të cilit kërkonte ndërhyrje urgjente dhe veprime ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur përgjegjësitë ligjore.
Vrasja e saj ka ngritur pikëpyetje serioze mbi veprimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Nesër, familjarët dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit Arlindës, jeta e së cilës u ndërpre tragjikisht.


















