Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se është bërë “progres i madh” pas pjesëmarrjes së tij të papritur në bisedimet paraprake me një delegacion tregtar japonez në Uashington, që kishin për qëllim diskutimin e tarifave që ai ka vendosur ndaj importeve globale.
Japonia është një nga vendet e para që ka nisur zyrtarisht negociatat, një provë e hershme për të parë nëse administrata amerikane është e gatshme të lëshojë terren lidhur me tarifat që kanë tronditur tregjet financiare dhe kanë shkaktuar frikë për një recesion.
“Nder i madh të takoj delegacionin japonez për tregti. Progres i madh!” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale, pa dhënë detaje të tjera rreth diskutimeve.
Në takim përballë Trump ishte Ryosei Akazawa, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit japonez Shigeru Ishiba, i cili ka marrë postin e tij të parë qeveritar vitin e kaluar si ministër për rivitalizimin ekonomik – një pozitë relativisht e ulët në kabinet.
Burime të njohura me planet e Tokios thanë se Japonia nuk e kishte parashikuar pjesëmarrjen e Trumpit në këto bisedime që i konsideronte si mision informues dhe synonte t’i kufizonte ato vetëm në çështje tregtare dhe investimesh.
Pas takimit, Akazawa u shpreh shkurt për mediat, duke konfirmuar se palët janë pajtuar të takohen sërish më vonë gjatë këtij muaji. Sipas tij, Trump e ka cilësuar arritjen e një marrëveshjeje me Japoninë si “prioritet kryesor”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Akazawa shtoi se çështja e kursit të këmbimit – për të cilën administrata Trump ka akuzuar Japoninë se e manipulon për të përfituar tregtarisht, nuk ishte pjesë e diskutimeve.
Pas deklaratave të Akazawës, dollari amerikan u rrit me rreth 0.5% ndaj jenit. Tokio ka mohuar vazhdimisht manipulimin e valutës për të nxitur eksportet e veta.
Në bisedime morën pjesë gjithashtu Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë Jamieson Greer, së bashku me zyrtarë nga ministritë japoneze të tregtisë, financave dhe punëve të jashtme.