I dërguari presidencial i SHBA-së, Steve Witkoff, është takuar të enjten në Paris me zyrtarë francezë dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell.

Parisi po pret të enjten një seri bisedimesh për Ukrainën dhe sigurinë e saj, duke përfshirë sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Witkoff, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe zyrtarë të lartë ukrainas, raporton AP.

Rubio ka mbërritur në Paris të enjten në mëngjes.

Rubio dhe Witkoff do të kenë “bisedime me homologët evropianë për të çuar përpara qëllimin e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe për të ndaluar gjakderdhjen”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Takimet vijnë pas rritjes së shqetësimeve për gatishmërinë e Trumpit për t’u afruar më shumë me Rusinë, ndërsa ai kërkon të ndërmjetësojë një armëpushim në Ukrainë, po ashtu lidhur me lëvizjet e tjera të administratës së tij, nga tarifat ndaj disa prej partnerëve të saj më të afërt e deri te retorika për NATO-n dhe Grenlandën.

Related Posts