Një banor nga fshati Shallc i Komunës së Vushtrrisë ka adresuar një ankesë në Gazetën Sinjali lidhur me mungesën e ujit të pijshëm dhe gjendjen e rrjetit elektrik në fshat.
Gëzim Haliti, banor i këtij fshati, thotë se ujësjellësi ka vendosur orëmatësit për amvisëritë, por furnizimi me ujë, sipas tij, mungon pothuajse vazhdimisht.
“Na kanë vendosur orët e ujësjellësit, por ujë nuk kemi pothuajse kurrë. Nuk kemi ujë as për t’i larë sytë”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.
Sipas Halitit, banorët detyrohen të përdorin ujin e puseve, por edhe furnizimi nga bunarët nuk është i qëndrueshëm.
Përveç problemit me ujin, ai ka ngritur shqetësim edhe për gjendjen e shtyllave elektrike në fshat. Ai pretendon se shumica e tyre janë në gjendje të dobët dhe se gjatë erërave, ndërprerjet e energjisë elektrike janë të shpeshta.
“Me shtyllat elektrike, gjithçka e kemi në gjendje të keqe. Mjafton të fryjë një erë dhe të gjithë mbesim në terr. Pothuajse të gjitha shtyllat janë të dëmtuara. Vetëm dy janë ndërruar, ndërsa të tjerat vazhdojnë të jenë në gjendje të keqe”, ka deklaruar ai.
Banori kërkon që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë për të përmirësuar furnizimin me ujë dhe gjendjen e infrastrukturës elektrike në fshat.


















