Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Prishtinës për nisjen e punimeve në zonën e mbrojtur të trashëgimisë kulturore pa lejet përkatëse nga institucionet kompetente.

Sipas sqarimeve nga MKRS, projekti për rrugën “Xhorxh Bush” është inicuar pa leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), një veprim që përbën shkelje të qartë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe mund të sjellë pasoja serioze, përfshirë edhe dëme financiare për buxhetin e shtetit.

MKRS njofton se pas ndalimit të punimeve nga inspektorati kompetent, Komuna ka paraqitur kërkesë për leje nga IKMM – një hap që duhej të ishte ndërmarrë që në fazën e parë të projektimit. Sipas ministrisë, kjo tregon se komuna ka vepruar me vetëdije jashtëligjshëm, duke anashkaluar rregullat dhe duke orientuar projektin drejt problemeve sistematike.

“Qëllimi ynë nuk është ndalimi i punimeve, por sigurimi që çdo projekt të përmbushë kriteret për ruajtjen e trashëgimisë kulturore,” thuhet në reagimin e MKRS. Institucioni bën të ditur se projekti i dorëzuar nga Komuna ka marrë vlerësim profesional dhe është kthyer me rekomandime konkrete për përputhje me këto kritere. Por, në vend se të zbatojë këto rekomandime, Komuna e Prishtinës ka zgjedhur të dezinformojë opinionin publik dhe të vazhdojë me veprimet e saj.

MKRS akuzon kryetarin e komunës dhe drejtorin përkatës se kanë zgjedhur të injorojnë përgjegjësitë profesionale dhe ligjore, duke dëmtuar rëndë rëndësinë historike dhe vizuale të hapësirave kulturore të mbrojtura. Sipas ministrisë, ndërhyrjet nuk kufizohen vetëm në asfaltim apo zëvendësim të gypave të azbestit, por përfshijnë ndërtimin e lokaleve afariste pranë hyrjes së Rektoratit të UP-së, një aset me status të mbrojtur që do të dëmtonte seriozisht kuadrin viziv të monumentit.

“Drejtori i Planifikimit Strategjik ka përdorur interpretime tërësisht të pavërteta për të shmangur përgjegjësinë dhe ka anashkaluar faktin se hapësira është pjesë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës,” thekson MKRS.

Në përfundim, MKRS bën thirrje që Komuna e Prishtinës të ndalojë menjëherë shkeljet dhe të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse. Ajo paralajmëron se të gjitha veprimet do të paraqiten për trajtim në organet e drejtësisë dhe kërkon që prokuroria të trajtojë me prioritet kallëzimet për këto shkelje që, sipas ministrisë, po e dëmtojnë rëndë trashëgiminë kulturore dhe buxhetin publik. /RilindjaShqiptare/

Related Posts