Rikthimi i reshjeve të shiut dhe dëborës në vend ka sjellë problematikat e para edhe në qarkun e Kukësit.
Gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe dëbore me intensitet të lartë, si dhe erë të fortë. Në Valbonë bora ka arritur në 35 centimetra, por nuk ka pasur probleme në qarkullim.
Në Lekbibaj të Njësisë Administrative të Tropojës në rrugët nacionale ka pasur rënie gurësh, duke sjellë bllokim të rrugës, raporton Ora News.
Problem mbetet rezervuari T’Plani në njësinë Administrative të Fierzës, ku si pasojë e reshjeve të shumta situata është përkeqësuar, por është nënkontroll. Rezervuari është mbushur plot ku dhe uji ka filluar të rrjedhë nga shkarkuesi katastrofik.
Furnizimi me ujë të pijshëm vijon në kuota normale, teksa probleme me energjinë elektrike ka pasur fshati Shemri në Njësinë Administrative Malzi të Bashkisë së Kukësit, fshatin Dragobi të Njësisë Administrative Margegaj dhe Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër, Bashkia e Tropojës.