Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion hetimor sot në Fushë-Kosovë, ku janë kontrolluar dy laboratorë të analizave biokimike, të cilët dyshohet se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas Policisë, në këta laboratorë janë gjetur një sërë shkeljesh, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar sipas kërkesave ligjore.
Pas këtyre gjetjeve, laboratorët janë mbyllur dhe në vend ngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim.
Po ashtu, dy persona ( pronarë të dy laboratorëve) janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente.
Të gjitha veprimet janë realizuar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Hetimet janë në vazhdim dhe institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikatë.