Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës , koloneli Gazmend Hoxha në lidhje me veprimet policisë së Kosovës më 23 maj në Mitrovicën veriore tha se maturanti, nuk kishte gjak në qafë, por ngjyrë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, drejtori Hoxha, tha se shenjat me ngjyrë në qafë, maturanti i kishte pasur para intervenimit të policisë.
“Këtë shenjë e kanë pasur edhe persona të tjerë pjesëmarrës”, tha Hoxha.
Ai theksoi se ekspertët e forenzikës kanë bërë analizë dhe ajo tregoi se maturanti nuk kishte gjak në qafë , po ngjyrë.
“Shihet maturanti në defilim me shenja të kuqe në qafë, ngjyrë që e ka pasur para veprimit të zyrtarit policor në këtë intervenim.
Maturanti ishte me babain e tij dhe ka dhënë deklaratë dhe e ka pranur se ato shenja me ngjyrë i kishte në qafë para incidentit. Nuk ka pasur shenja të dhunës a lëndimi serioz”, tha Hoxha.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës , koloneli Gazmend Hoxha, e komentoi edhe fletarrestin e Serbisë ndaj policit të përfshirë në intervenim me maturantin pas provokimit të disa qytetarëv në kafeteri se Kosova është zemra e Serbisë.
Hoxha të tërën e quajti propagandë të Serbisë në vazhdën e përndjekjeve të pushtetit të Beogradit.
