Rrethanat historike, kushtet e panoramës botërore, zhvillimet politike, natyrisht nuk janë rastësi, por janë dialektikë logjike dhe shtysë e një konjukture të caktuar.
E në këtë aspekt, konjuktura që ofrohet në marrëdhëniet e Kosovës me Serbisë, e në gjerësi e shqiptarëve dhe serbëve është një konflikt i pritshëm për të arritur në një pikë kulmore që do të çojë në një zgjidhje afatgjatë.
Nëse vërehen këto konjuktura, e që u pa menjëherë nga letra që Presidenti i SHBA Joe Biden i dërgoi Aleksandër Vuçiçit, Perëndimi e ka vënë Beogradin përpara një detyrim-përcaktimi.
Të njohë Kosovën! Zgjidhje që Serbia nuk do ta bëjë as qetësisht, as paqësisht, e as pa një kosto që natyrisht do të involvojë apo do të sjellë turbullira, të cilat do të detyrojnë zhvillime të caktuara jo vetëm politike.
Beogradi, si nga Vuçiç, ashtu edhe nga njerëzit poshtë tij, ka pohuar se do të ketë presione nga Perëndimi, por Serbia është e përgatitur të rezistojë.
Po cila do të jetë kjo rezistencë?
Politikisht e praktikisht çfarë përfaqëson?
Këto ditë është vënë re, një fushatë e organizuar antishqiptare jo vetëm në Serbi, por në të gjithë atë që Beogradi e quan “botën serbe”.
Gjykata Supreme e Serbisë ju kthye Naçertanies, duke e bërë të vlefshëm në përdorim publik zhargonin “Šiptari” siç është ajo “çifut” për hebrenjtë, që të vijojë të ngarkojë opinionin me një logjikë raciste dhe ksenofobe ndaj kombit tonë.
Në Maqedoninë e Veriut, pikërisht kur Zaev bëri një hapje ndaj serbëve dhe serbishtes doli libri i Gjeografisë për gjimnazin, që i konsideron shqiptarët “fise të ardhur”.
Një gjuhë që natyrisht është politike dhe parashikon një betejë që Beogradi do të bëjë që të mos lejojë dhënien e Kosovës me vullnetin e tij.
Nga Podgorica, Andria Mandiç, një anëtar i mazhorancës qeverisëse të Malit të Zi, kërkoi shtatoren e Stefan Dushanit në kryeqytetin malazez, siç është në Beograd dhe në Shkup. Njeriut që krijoi perandorinë serbe në territoret që serbët nuk kishin bashkëatdhetarë. E që në fakt është thelbi i Naçertanies dhe Serbisë së Madhe.
Këto teza nuk se dalin kot, janë në fakt një logjikë që Beogradi i ka pjesë të strategjisë, që i përshtat me taktika sipas rrethanave.
Deri dy vite më parë, taktika ishte shkëmbimi i territoreve dhe Zajednica për të arritur të mbajë veriun e Kosovës dhe kontrollojë Deçanin dhe zonat e enklavave.
Me Albin Kurtin-kryeministër, Aleksandër Vuçiç e di se nuk do të arrijë në një marrëveshje siç ai kërkon.
Albin Kurti ka bërë betejë edhe për Paktin Ahtisari, lerë më Zajednicën e shkëmbimin që nuk e ka fare në kandar.
Por a do ta lejojë Serbia, gjegjësisht a do të tërhiqet kaq kollaj Vuçiçi që të njohë Kosovën, thjesht si vullnet i Fuqive të Mëdha Perëndimore?
Natyrisht që jo? Vuçiç ka gati një plan B për të krijuar sa më shumë kushte që ajo që quhet “njohja e Kosovës” të vijë me kosto sa më të vogla për Serbinë, e që realisht janë në mos si aktualisht, që e kontrollon totalisht kufirin në veri të Kosovës, të krijojë kushte që Kosova ta marrë njohjen e Serbisë me sa më shumë kosto për të. Kjo si territorialisht por edhe politikisht edhe ushtarakisht. Pse është armatosur Serbia?
Po çfarë mund të ndodhë realisht? Me një Kosovë ku KFOR-gjegjësisht NATO e mbikqyr integritetin territorial të saj?
Mund të ndodhë një trazirë e brendshme që të mos e pranojë qëndrimin e qeverisë së Kosovës së drejtuar nga Albin Kurti. Dhe si përgjigje e saj, Beogradi të shpallë përkrahjen “me të gjitha mjetet për serbët e Kosovës”.
Po si do të jetë kjo luftë mes Kosovës dhe Serbisë? Natyrisht që nuk do të jetë frontale, por do të jetë centrifugale, do të jetë politike dhe humanitare.
Beogradi është gati të bëjë mish për top serbët e Kosovës për kauzën e tij kundër “Šiptari” që i konsideron racë inferiore.
Do të jetë një luftë sa politike, guerile, por edhe psikologjike që Beogradi të përfitojë sa më shumë.
E në këtë rast, Kosovës i duhet një qeveri sa më e qartë, një Kuvend sa më i angazhuar dhe institucione më të forta. Që bashkë me KFOR të përballojnë një luftë që realisht vjen nga Rusia, nga baza e saj e Nishit, e cila është e qartë se agjenturën që ka në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Shqipëri do ta përfshijë në këtë betejë. E cila do të jetë e egër, që të ndalojë sa të jetë e mundur SHBA dhe vendet e BE që të imponojnë Serbinë në vendimin final për njohjen e Kosovës…/Pamfleti