Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk do të kundërshtonte ndërtimin e fabrikave nga prodhuesit kinezë të automjeteve në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht kundërshtimit të ligjvënësve dhe industrisë amerikane të automobilave.
“Nëse Kina do të donte të vinte dhe të hapte një fabrikë për të prodhuar makinat e saj këtu, unë do të isha dakord me këtë”, tha Trump në një intervistë për “The Ingraham Angle” të Fox News.
Ai theksoi se kushti kryesor është që kompanitë e huaja të punësojnë punëtorë amerikanë, duke marrë si shembull prodhuesit japonezë.
Trump tha gjithashtu se nuk dëshiron që prodhuesit kinezë të ndërtojnë automjete në Meksikë dhe më pas t’i eksportojnë ato në tregun amerikan.
Deklaratat vijnë në një kohë kur prodhuesit amerikanë të automjeteve i kanë kërkuar administratës Trump të mos lejojë kompanitë kineze të kenë qasje në tregun amerikan.
Administrata e ish-presidentit Joe Biden kishte vendosur në fillim të vitit 2025 rregulla që ndalojnë prodhuesit kinezë të shesin ose të ndërtojnë automjete pasagjerësh në SHBA. Ndërkohë, Uashingtoni mban tarifa mbi 100 për qind për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë.




















