Policia e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Policisë, suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili është duke zhvilluar hetime paraprake lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.
Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.
Siç ka raportuar edhe gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj duke iu referuar burimeve në mesin e të suspenduarve janë drejtori rajonal, Agron Hasanaj, komandanti i stacionit, Faik Jahmurataj, majori Ndue Nikolla, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë, Sami Lekaj, si dhe zëvendëskomandanti Dervish Hasanaj.
Po ashtu, është suspenduar edhe Faruk Muqolli, shef i hetimeve në Stacionin Policor të Pejës, së bashku me katër hetues dhe shefin e operativës.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se suspendimet janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale në trajtimin e rastit.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka theksuar se do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përkatëse gjatë procesit hetimor.


















