Shqipëria luajti baras 0:0 me Serbinë, të shtunën e kaluar në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

Konfiskimi i simboleve kombëtare dhe atyre të UÇK-së nga ana e policisë në stadium, shkaktoi zemërim të madh.

Në mesin e shumë reagimeve të ashpra, ishte edhe ajo e Tifozave “Kuq e Zi”.

Ky tifogrup dënoi ndalimin e simboleve kombëtare në stadium, duke e akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë.

Në deklaratë, tifozët kritikuan kontrollet strikte dhe konfiskimin e bluzave dhe shallave me mbishkrime patriotike, si “O sa mirë me qenë Shqiptar!”, “Prishtina”, “Kosova” dhe flamurin e UÇK-së, të cilin e quajnë të paprekshëm dhe të drejtë për t’u shfaqur në çdo stadium ku luan Kombëtarja.

Ata paralajmëruan se nuk do të ndalen kurrë së mbrojturi identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare, duke sfiduar çdo përpjekje për t’i censuruar ato në stadium.

Tifozëria gjithashtu theksoi se janë gati të përballen me çdo gjobë për të mbrojtur flamurin e UÇK-së dhe theksojnë se pasioni i tyre për Kombëtaren është i përjetshëm, ndryshe nga funksionarët e federatës që i shohin këto si thjesht punë.

Në fund, TKZ shpreh besimin se Shqipëria do të triumfojë edhe në ndeshjet e ardhshme dhe se miqësia me Serbinë nuk është e mundur.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Related Posts