Një shtetase e Kosovës ka mbetur pa automjetin e saj luksoz, pasi zyrtarët policorë të Malit të Zi e ndaluan në pikën kufitare Sukobinë – Muriçan, në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar, kur Policia Kufitare e Ulqinit kontrolloi një veturë të tipit BMW X1, e cila drejtohej nga një shtetase e Kosovës me inicialet L.B.

Pas verifikimit të dokumentacionit dhe kontrollit të automjetit, autoritetet policore zbuluan se vetura ishte në kërkim nga Interpol Belgjika. Pas konstatimit të gjendjes, Policia e Malit të Zi njoftoi menjëherë Departamentin e Sigurisë në Ulqin dhe u vu në kontakt me Interpolin në Podgoricë, të cilët konfirmuan se kërkimi ndërkombëtar për automjetin ishte aktiv.

Me urdhër të Prokurorit të Zyrës së Prokurorit Themelor të Shtetit në Ulqin, automjeti u sekuestrua menjëherë.

Në lidhje me shtetasen që drejtonte automjetin, Policia nuk ka dhënë detaje të mëtejshme nëse ajo është ndaluar, marrë në pyetje apo liruar pas verifikimeve.

Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe mbetet të sqarohet se si automjeti i kërkuar nga Interpol ka përfunduar në duart e shtetases nga Kosova.

Related Posts