Policia e Zagrebit ka paraqitur kallëzim penal ndaj një shtetasi 32-vjeçar të Marokut me status të mbrojtjes ndërkombëtare, i dyshuar se të dielën në Stacionin e Autobusëve e ka sulmuar fizikisht një police, dhe për shkak të rrezikut për rendin publik, mund t’i anulohet mbrojtja dhe të deportohet.

Pas hetimit penal, i dyshuari është dorëzuar në mbajtje, ndërsa kallëzimi penal për dyshimin për kryerjen e veprës penale të përdorimit të forcës ndaj personit zyrtar është dorëzuar në Prokurorinë kompetente, njoftoi policia e Zagrebit.

I dëbuar më parë nga disa shtete europiane

Policia thekson se për këtë rast e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për rrethanat që paraqesin rrezik për rendin publik. Si rrjedhojë, mund të merret vendim për anulimin e statusit të mbrojtjes ndërkombëtare, që i ishte dhënë shtetasit të Marokut në vitin 2015, dhe në fund ai mund të dëbohet nga Republika e Kroacisë. Përndryshe, marokeni ishte dëbuar më parë nga disa shtete europiane, përfshirë Gjermaninë dhe Danimarkën, për shkak të përsëritjes së veprave penale dhe kundërvajtjeve.

Detaje të sulmit dhe arrestimit

Ai u arrestua në orët e vona të së hënës në zonën e Trnjës, ku ishte fshehur pas sulmit. Incidenti ndodhi rreth orës 18:15, kur policja tentoi ta legjitimonte marokenin në hapësirat e stacionit të autobusëve. Gjatë këtij procesi, ai papritur e goditi atë me grusht dhe më pas ia përplasi kokën për muri. Policja ra në tokë, ndërsa i dyshuari u arratis kur në vendngjarje kaloi një punëtore e pastrimit, shkruan Jutarnji.

Pas lokalizimit nga ana e policisë, ai tentoi të ikte sërish dhe kundërshtoi arrestimin, ndaj ndaj tij u përdorën mjete të detyrimit. Policja u trajtua në Qendrën Klinike “Sestara milosrdnica”.

Sindikata e Policisë së Kroacisë (SPH) shprehu të hënën shqetësim të thellë për sulmin ndaj polices në Zagreb, duke theksuar se ky nuk është një incident i izoluar dhe kërkoi dënime më të rënda për sulmet ndaj zyrtarëve policorë.

 

Related Posts