Arlinda Zekaj është vrarë më 25 tetor nga kunati i saj, Albert Sylaj.

Vrasja e Arlinda Zekaj përpos që ishte tronditëse për mënyrën se si u krye si vepër, tronditëse ishte edhe fakti se e njëjta e kishte paralajmëruar këtë gjë dhe kishte kërkuar ndihmë nga dera në derë, nëpër institucionet e sigurisë e të hetuesisë.

Arlinda Zekaj është gruaja e 67-të e vrarë në Kosovë nga familjarë. Vrasja e saj me sëpatë nga kunati tronditi gjithë vendin, derisa më pas në pah doli e vërteta se Arlinda kishte kërkuar ndihmë direkte në Polici, Prokurori, gjyqësi, QPS e kishte dërguar shkresa edhe në Këshill Prokurorial dhe në Zyrën e Prokurorit të Shtetit.

Por pak kush iu përgjigj.

Dështimi institucional në rastin e Arlinda Zekaj bëri që të suspendohen 11 zyrtarë policorë, Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi si dhe dorëheqje morale deri më sot dha vetëm drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Por emri i Albert Sylaj ishte i njohur për autoritetet e sigurisë.

Madje si fillim u raportua se Albert Sylaj pati 11 raste të hapura për vepra të ndryshme penale në periudhën me fillim nga viti 2003 deri në vitin 2026.

Ai cilësohet nga organet e drejtësisë si recidivist (përsëritës i veprave penale) dhe ka pasur të paktën katër dënime me aktgjykime të formës së prerë, raporton lajmi.net.

E mbi vendimet e formës së prerë, lajmi.net ka marrë një përgjigje edhe nga Gjykata Themelorë në Pejë.

Kjo Gjykatë ka informuar se pas verifikimit të të dhënave në SMIL, del se i pandehuri, Albert Sylaj,  me Aktgjykimin P.nr.223/23 të formës së prerë, është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv për vepër penale lëndim i lehtë trupor.

Përpos kësaj, gjithashtu, në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Deçan, me aktvendimet P.nr.40/26 dhe P.nr.31/26, janë arritur marrëveshje për ndërmjetësim për veprat penale “shpërdorim i pasurisë së huaj dhe lëndim i lehtë trupor”.

Ndërsa  në rastin aktual të vrasjes së rëndë të kunatës së tij Arlinda Zekaj, rasti ndodhet në fazën e hetimeve dhe i njëjti është në paraburgim prej disa ditëve. Gjykata Themelore në Pejë mori vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të lartcekurit.

Pas kryerjes së veprës, Albert Sylaj ishte arratisur nga vendi i ngjarjes. Si fillim u raportua se ai është gjetur në malet e Deçanit pasi qëndroi aty për tri ditë radhazi. Pas gjetjes së tij ai kishte deklaruar se pranon të arrestohet vetëm nga Njësia Elitare “FIT” dhe assesi nga patrulla. Pas arrestimit, i njëjti u dorëzua në stacion policor ku më pas u vazhdua me procedurat e tjera hetimore.

Ndërsa sa i përket ish-bashkëshortit të Arlinda Zekaj, Jeton Sylaj i cili po ashtu ndodhet në paraburgim, Gjykata e Pejës ka njoftuar se në këtë gjykatë figuron një rast për vepër penale “Kanosja” në fazën e shqyrtimit gjyqësorë.

Po ashtu ndaj tij figuron edhe një vepër tjetër penale që është “Mospërfillja e gjykatës” për të cilën vepër i njëjti ndodhet në paraburgim dhe në vazhdën e hetimeve.

Jeton Sylaj nuk ka pranuar të flasë as para mediave në ditën kur doli para trupit gjykues.

Ndërsa në deklarim të mbyllur ai kishte deklaruar se “kishte tentuar të ndalojë rastin në fjalë”. Madje ai thoshte se i duhet të kujdeset për djalin e tij 12 vjeçar.

Jeton Sylaj dhe Arlinda Zekaj ishin të martuar dhe kishin një djalë, por si shkak i problemeve të vazhdueshme më pas kishin hyrë në proces të divorcit – ku edhe Jeton Sylaj më pas kishte vazhduar me kërcënimet e njëpasnjëshme ndaj Arlindës ndër to edhe djegia e të gjitha rrobave që ajo pati në shtëpinë e tyre në Vitomiricë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts