Gjiganti i teknologjisë, Google, është urdhëruar nga një gjykatë në Kaliforni të paguajë 314.6 milionë dollarë për përdoruesit e telefonave Android në këtë shtet, si dëmshpërblim për mbledhje të paautorizuar të të dhënave.

Bëhet fjalë për një padi kolektive të ngritur në vitin 2019, e cila përfaqëson rreth 14 milionë banorë të Kalifornisë. Sipas padisë, Google kishte mbledhur të dhëna edhe kur telefonat ishin joaktivë, duke përdorur internetin e përdoruesit për qëllime të reklamimit të synuar – pa lejen e tyre.

“Vendimi justifikon fuqimisht meritat e këtij rasti dhe pasqyron seriozitetin e sjelljes së keqe të Google”, deklaroi avokati i paditësve, Glen Summers.

Nga ana tjetër, Google ka njoftuar se do ta apelojë vendimin, duke thënë se “keqinterpreton shërbimet që janë kritike për sigurinë, performancën dhe besueshmërinë e pajisjeve Android”.

Gjiganti teknologjik pretendon se përdoruesit ishin të vetëdijshëm dhe kishin dhënë pëlqim për këto praktika përmes politikave të privatësisë. Sipas tyre, “asnjë përdorues nuk është dëmtuar”.

Ndërkohë, një padi tjetër me përmasa edhe më të mëdha, e ngritur në emër të 49 shteteve të tjera, pritet të shqyrtohet në prill të vitit 2026.

Related Posts