Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka dalë me një thirrje publike për të gjitha institucionet publike dhe private që të marrin masa mbrojtëse për punëtorët dhe grupet më të ndjeshme të shoqërisë, për shkak të temperaturave të larta që pritet të mbizotërojnë gjatë periudhës 3 – 10 korrik 2025.
Duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Ministria thekson se vala e të nxehtit mund të ketë ndikime serioze në shëndetin e qytetarëve, sidomos tek fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike. Ndër më të rrezikuarit janë edhe punëtorët që ushtrojnë veprimtari në ambiente të jashtme ose në kushte pune ku temperatura është e lartë.
“Apelojmë tek të gjitha institucionet që të zbatojnë masat e nevojshme për të mbrojtur punëtorët nga pasojat e të nxehtit ekstrem. Kujdesi dhe përgjegjësia në këtë periudhë janë jetike për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë.
Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë ndër të tjera shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (10:00 – 17:00), pushime të shpeshta për punëtorët në ambient të freskët, konsum të rregullt të ujit dhe veshje të lehta dhe të hapura në ngjyrë.
Ministria ndër të tjera bën thirrje të zbatohet një orar fleksibil që punëtorët të kenë mundësi të nisin orarin e punës më herët, ose edhe të punojnë nga shtëpia.
Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse për të monitoruar situatën dhe për të siguruar që masat të zbatohen me rigorozitet.