Arkipelagu Tokara në jugperëndim të Japonisë është përfshirë nga një aktivitet i pazakontë sizmik, ku në vetëm 16 ditët e fundit janë regjistruar plot 1.592 tërmete me intensitete të ndryshme, njofton Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA).

Lëkundjet, që variojnë nga 1 deri në 6 ballë, janë shënuar nga 21 qershori deri më 7 korrik, duke kulmuar me tri tërmete të fundit prej 4.9, 5.5 dhe 5.1 ballë më 6 dhe 7 korrik. Fatmirësisht, deri tani nuk janë raportuar viktima apo dëme materiale.

Autoritetet japoneze kanë filluar evakuimin e banorëve me tragete që nga data 3 korrik, duke vlerësuar rrezikun e lartë për shembje shtëpish dhe rrëshqitje të tokës. “Rreziku i shembjeve dhe rrëshqitjeve të dheut është real në zonat ku lëkundjet janë të forta,” deklaroi zëvendës sekretari i kabinetit, Aoki Kazuhiko, duke i bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikshme.

Arkipelagu Tokara, pjesë e prefekturës Kagoshima, shtrihet në një sipërfaqe prej 100 km² dhe përfshin 7 ishuj kryesorë, ku aktualisht jetojnë rreth 670 banorë. Aktiviteti sizmik i këtij niveli është më i larti që nga shtatori 2023, kur u regjistruan 346 tërmete.

Related Posts