Deputetja boshnjake, Duda Balje ka deklaruar se gjatë pasdites së sotme ka marrë tri telefonata anonime nga të panjohur të cilët e kanë kërcënuar.
Përmes një reagimi publik, Balje ka thënë se është kërcënuar paturpësisht, ku i kanë thënë se duhet të ketë kujdes se si voton në Kuvendin e Kosovës.
“Dëshiroj të ju informoj që sot pasdite kam marrë tri telefonata anonime ( dy në gjuhën serbe dhe një në gjuhën shqipe) ku nga persona të panjohur jam kërcënuar paturpësisht dhe duke më pohuar ” kujdes për votimin e radhës në Kuvendin e Kosovës””, thuhet në reagim.
Ajo shton tutje se të gjithë personat që fshihen pas këtyre numrave të panjohur dhe e kërcënojnë do të dalin para drejtësisë.
“Unë e kuptoj që dikuj ja kam prish planet dhe ai ” dikushi” nuk po pajtohet me humbjen. Por, ju premtoj që këta njerzë të cilët fshihen pas numrave të panjohur e të cilët po përpiqen të falsifikojnë dokumente me qëllim të deskriditimit tim politik, me argumente do ti zhveshi ” lakuriq” para organeve të drejtësis të Kosovës. I premtoj popullit të Kosovës që votën time kurr askush nuk do të mund ta ndryshoj. Jam krenare me angazhimin tim për shtetin tim”, shkruan Balje.