Mesfushori i ri i Barcelones, Marc Casado, është futur në listën e dëshirave të Bayer Leverkusen, skuadër që do të garojë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Nënkampionët e Gjermanisë kanë paraqitur një ofertë prej 30 milionë eurosh, e ndarë në 20 milionë fikse dhe 10 milionë në bonuse, për të siguruar shërbimet e 21-vjeçarit spanjoll.
Sipas raportimeve të El Nacional, drejtuesit e Barcelonës e kanë refuzuar ofertën, duke theksuar se Casado nuk largohet për më pak se 50 milionë euro. Klubi katalanas nuk është i gatshëm të negociojë nën këtë shifër.
Casado shkëlqeu në pjesën e parë të sezonit, por më vonë humbi rëndësinë për shkak të mungesës së vazhdimësisë dhe konkurrencës së madhe në mesfushë, duke e lënë shpesh në stol.
Leverkusen është në kërkim të një zëvendësuesi për Granit Xhakën, i cili mund të largohet drejt Arabisë Saudite. Interesi për Casadon është më konkret se ai i klubeve të tjera evropiane.
Pas shitjeve të Wirtz dhe Frimpong te Liverpooli, klubi gjerman ka krijuar hapësirë financiare për përforcime dhe e sheh Casadón si një investim afatgjatë në mesfushë.
Ndërkohë te Barça, situata mbetet e paqartë. Trajneri Hans-Dieter Flick ende nuk ka vendosur për rolin e Casados në ekipin e tij, ndërsa konkurrenca pritet të shtohet me rikthimin e Marc Bernal. Klubi spanjoll mbetet i prerë: largimi i Casados mund të ndodhë vetëm nëse oferta i përshtatet vlerësimit të tij në treg.