Marcus Rashford ka mbërritur në Barcelonë mbrëmjen e së dielës, në orën 21:30, për të nisur një faqe të re në karrierën e tij.
Sulmuesi 27-vjeçar është huazuar për një sezon nga Manchester United, me një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, ndërsa marrëveshja është tashmë e finalizuar mes dy klubeve.
Të hënën (sot) në mëngjes, Rashford do t’i nënshtrohet testeve mjekësore në “Ciutat Esportiva Joan Gamper”. Ai do të ketë disa ditë të ngarkuara përpara nisjes së turneut aziatik të Barçës, ku pritet të udhëtojë me ekipin të enjten drejt Japonisë.
Prezantimi i tij zyrtar, i planifikuar fillimisht për të martën, është shtyrë për një ditë për shkak të ndryshimeve në programin stërvitor të trajnerit Hansi Flick.
Sipas planit të ri, Rashford do të prezantohet si futbollist i Barcelonës të mërkurën pasdite, në një ceremoni që do të mbahet në ambientet e “Spotify Camp Nou”.
Në orën 18:00, lojtari do të firmosë kontratën e tij të re në prani të presidentit Joan Laporta dhe më pas do të japë deklaratat e para për mediat zyrtare të klubit.

Një orë më pas, ai do të dalë në një konferencë të shkurtër për shtyp në dyqanin zyrtar të Barçës, njësoj siç ndodhi së fundmi me rinovimin e kontratës së Lamine Yamal.